Foto: VCG

Foto: VCG

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Shkup, zhvilloi takime me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Me anë të një postimi në “Twitter”, von der Leyen tha se ka siguruar krerët e lartë të shtetit për mbështetjen e KE-së për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, raporton “RTSH”.

“Jam e lumtur që jam në Shkup. Republika e Maqedonisë së Veriut është një partner real dhe i besueshëm. Populli i RMV-së ka treguar përkushtimin e tij ndaj vlerave evropiane. Ata meritojnë të shohin vendin e tyre duke përparuar drejt anëtarësimit. Tani i takon RMV-së të bëjë hapin vendimtar përpara. E sigurova presidentin Pendarovski dhe kryeministrin Kovaçevski për mbështetjen time të plotë për përparimin drejt bërjes së Maqedonisë së Veriut një shtet anëtar të BE-së”, -tha ajo.

Gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, i mbledhur për diskutime rreth propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, një proces që do t’i hapte rrugën nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE, von der Leyen tha: “Gjuha maqedonase është e juaja”. Kjo fjali shtyu shumicën në Kuvend të ngriheshin në këmbë dhe të duartrokisnin, ndërsa nga radhët e opozitës u dëgjua thirrja “tradhtarë”.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se në rast pranimi të propozimit francez, Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut do të nisë javën e ardhshme.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, për rrjedhojë dhe të Shqipërisë. Propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron është parë si një mënyrë zgjidhje e ngërçit mes dy vendeve ku adresohen të gjitha pengesat që palët kanë lidhur me gjuhën dhe historinë, gjë që për maqedonasit shihet si lejim i “bullgarizimit” të Maqedonisë së Veriut që nuk njeh as gjuhën e as historinë maqedonase. (Irma)