Gatishmëria e kompanive kineze për të investuar në kërkim dhe zhvillim dhe për t'u fokusuar në inovacion gjatë dekadës së fundit e ka lejuar Kinën të dominojë në aplikimin për patenta në Evropë, sipas ekspertëve të industrisë. Ata besojnë se ky trend ka të ngjarë të vazhdojë dhe të rrisë konkurrencën e kompanive kineze në tregun global.

Numri i aplikimeve për patentë nga Kina në Zyrën Evropiane të Patentave është katërfishuar në 10 vitet e fundit, duke shkuar nga 3 për qind të aplikimeve për patentë në 2012-n në 9 për qind në 2021-shin, sipas të dhënave të saj.

"Në dekadën e fundit, Kina rriti aplikimet e saj për patenta me një ritëm më të lartë se çdo vend tjetër lider. Kjo tregon se kompanitë kineze po investojnë fuqishëm në inovacion dhe po përdorin dhe përfitojnë nga mbrojtja e pronësisë intelektuale si në Kinë, ashtu edhe jashtë saj"- tha Luis Berenguer, zëdhënës i zyrës së patentave.

Njerëzit vizitojnë zonën e ekspozitës së Huawei-së gjatë Kongresit Botëror Mobile (MWC) në Barcelonë, Spanjë, më 1 mars 2022.

Njerëzit vizitojnë zonën e ekspozitës së Huawei-së gjatë Kongresit Botëror Mobile (MWC) në Barcelonë, Spanjë, më 1 mars 2022.

“Kina ka vënë qartësisht fokus në inovacionin teknologjik në vitet e fundit, si një faktor kyç për rritjen e ekonomisë së saj”, - tha Berenguer. "Kjo është domethënëse dhe rezultatet e kësaj strategjie reflektohen në rritjen më të madhe të aplikimeve për patenta në një numër në rritje teknologjish".

Ekspertët e industrisë besojnë se ky është rezultat i një rritjeje të fortë në aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit.

"Që nga mesi i viteve 1980, Kina ka rritur vazhdimisht investimet e saj në aktivitetet kërkimore dhe zhvillimore të financuara nga shteti dhe privatisht",- tha Stefan Wagner, profesor i strategjisë dhe inovacionit në Shkollën Evropiane të Menaxhimit dhe Teknologjisë në Berlin.

Kompania e analizave kërkimore “Statista” tha se shpenzimet e Kinës për kërkimin dhe zhvillimin arritën në më shumë se 622 miliardë dollarë në vitin 2021, duke tejkaluar 598 miliardë dollarë të Shteteve të Bashkuara në terma absolutë dhe duke e bërë atë shpenzuesin e vetëm më të madh në kërkim dhe zhvillim. Krahasuar me 10 vjet më parë, shpenzimet e Kinës për kërkim dhe zhvillim janë më shumë se trefishuar.

Wagner tha se ky zhvillim është shoqëruar me një fuqizim të sektorit të arsimit të lartë, duke çuar në një numër më të madh studiuesish universitarë, gjë që kontribuon më tej në rritjen e numrit të aplikimeve për patenta.

Kompanitë kineze e kanë kuptuar gjithnjë e më shumë rëndësinë e inovacionit dhe kanë formësuar strategjitë e tyre të patentave me investime të vazhdueshme në kërkim dhe zhvillim,- tha He Shaowei, një profesor i asociuar i biznesit ndërkombëtar në Universitetin e Northampton në Mbretërinë e Bashkuar. Mjedisi aktual gjeopolitik ka mundësi që të ketë rritur ndjenjën e urgjencës pas atij investimi.

“Merrni “Huawei”, për shembull, pavarësisht nga një rënie e ndjeshme e të ardhurave të saj në vitin 2021, kompania ka vendosur të investojë më tej në kërkim dhe zhvillim”, - tha He.

“Huawei”, një kompani e madhe teknologjike kineze, ka rënë viktimë e shtypjes së bazuar në gjeopolitikë dhe ideologji nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj. Si rrjedhojë, prodhimi dhe shitjet e saj janë prekur rëndë.

“Sigurisht, trendi i kompanive kineze që rrisin shpenzimet për kërkim dhe zhvillim po bëhet më i qartë dhe më i fortë vit pas viti dhe nuk ka dyshim se ka një numër kompanish shumë inovative kineze”,- tha ai.

Kompanitë kineze ishin veçanërisht të forta në depozitimin e patentave për komunikimet digjitale në vitin 2021 në Zyrën Evropiane të Patentave, duke shënuar rritjen më të fortë të aktivitetit të tyre në këtë fushë.

George Yip, një profesor në “Imperial College London” dhe “Northeastern University” në Boston, tha: "Kina po përfiton nga një avantazh i ardhur me vonesë duke kapërcyer fazën tradicionale të komunikimit analog dhe duke përshpejtuar në komunikimin digjital. Si rezultat, si konsumatorët kinezë, ashtu edhe kompanitë kineze janë ndër më të orientuarit digjitalisht në botë".

Yip tha se ka besim se kompanitë kineze do të vazhdojnë të fitojnë pjesën e tregut global, pasi tashmë ka më shumë kompani kineze sesa kompani amerikane në listën e “Fortune Global 500” të kompanive më të mëdha në botë.

Dy dekadat e fundit kanë parë përmirësime të konsiderueshme jo vetëm në sasi, por, më e rëndësishmja, edhe në cilësinë e kërkimit dhe zhvillimit kinez, thanë ekspertët.

"Gjatë 15 viteve të fundit, Kina ka trefishuar përpjekjet e saj shkencore me ndikim të lartë, siç duket nga pjesa e saj në 10 përqindëshin e botimeve më të cituara, që ka arritur në 14 për qind - fuqia e dytë më e madhe shkencore pas Shteteve të Bashkuara, e cila ka 25 për qind”, - tha Wagner.

Jeffrey Towson, një profesor në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit Kinë -Evropë dhe kreu i firmës këshilluese “US-Asia Tech Strategy”, tha: "Ideja e “kopjeve të Kinës” është me të vërtetë 20 vjet e vjetruar në këtë pikë. Kompanitë kineze kanë qenë prej kohësh liderë në inovacionin e kostos dhe inovacionin përballë klientit".

Ai tha se Kina ka talentin, shkallën dhe tregun vendas për të qenë një lider i inovacionit dhe se sfida më e madhe e mundshme e Kinës është nëse teknologjia e saj mund të përdoret dhe të adaptohet në tregjet ndërkombëtare.

"Kompanitë kineze duhet të konkurrojnë në tregjet jo-kineze. Përndryshe, inovacioni mund të ngadalësohet ose mund të ketë një efekt “ishulli Galapagos”, ku teknologjitë kineze zhvillohen ndryshe dhe nuk përdoren askund tjetër në botë",- shtoi Towson.