Foto: Antonio Guterres

Foto: Antonio Guterres

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për veprim të menjëhershëm në katër fusha, në mënyrë që bota të mund të ecë më mirë përpara pas pandemisë Covid-19 dhe të avancojë më tej zhvillimin e qëndrueshëm, citon “Xinhua”.

Sipas tij, katër fushat janë: Rikuperimi nga pandemia në çdo vend, trajtimi i krizave të ushqimit, energjisë dhe financave, investimi te njerëzit dhe veprimi klimaterik.

“Ne duhet të sigurojmë qasje të barabartë globale te vaksinat, terapitë dhe testet e Covid-19. Dhe tani është shumë e rëndësishme që të kemi një përpjekje serioze për të rritur numrin e vendeve që mund të prodhojnë vaksina, diagnostikime dhe teknologji të tjera që mendojnë për të ardhmen”, -tha Guterres, gjatë Forumit Politik të Nivelit të Lartë mbi zhvillimin e qëndrueshëm, të mbledhur nën kujdesin e Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së.

Ai theksoi se prodhimi i ushqimit në Ukrainë, ushqimi dhe plehrat e prodhuara nga Rusia duhet të kthehen në tregjet botërore pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm. “Nuk mund të ketë zgjidhje për krizat e sotme pa një zgjidhje të krizës së pabarazisë ekonomike në botën në zhvillim. Duhet të vëmë në dispozicion burimet dhe hapësirën fiskale për vendet dhe komunitetet. Institucionet financiare globale duhet të përdorin të gjitha instrumentet që kanë në dispozicion, me fleksibilitet dhe mirëkuptim”, tha ai.

Pandemia ka treguar ndikimet shkatërruese të pabarazisë brenda dhe ndërmjet vendeve, tha Guterres, duke theksuar se janë më të cenuarit dhe më të margjinalizuarit ata që vuajnë më shumë kur godasin krizat. “Është koha për t'i dhënë përparësi investimeve te njerëzit; për të ndërtuar një kontratë të re sociale të bazuar në mbrojtjen sociale universale; dhe për të riparuar sistemet e mbështetjes sociale të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.

Lidhur me veprimin klimaterik, Guterres tha se beteja për të mbajtur gjallë synimin 1.5 gradë të temperaturës globale do të fitohet ose humbet këtë dekadë. “Ndërsa arritja e këtij qëllimi kërkon një reduktim të emetimeve globale prej 45 për qind nën nivelet e 2010-s deri në vitin 2030, premtimet aktuale do të rezultonin në një rritje prej 14 për qind të emetimeve deri në atë datë”, vuri në dukje ai. (Irma)