Foto:VCG
Kërkesa botërore për naftë parashikohet të rritet më tej vitin e ardhshëm, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në vitin 2022, sipas një raporti të publikuar të martën nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).
Në raportin e tij mujor, OPEC njoftoi se pret që kërkesa globale për naftë të rritet me 2.7 milionë fuçi në ditë në vitin 2023, ndërsa parashikimi i rritjes së kërkesës për këtë vit mbetet i pandryshuar në 3.4 milionë fuçi në ditë, bën të ditur “Xinhua”.
Sipas OPEC, parashikimi i rritjes së kërkesës për vitin 2023 bazohet në kontrollin më të mirë të pandemisë Covid-19 dhe rritjen e pritshme ekonomike globale.
Megjithatë, OPEC vuri në dukje se rreziqet negative mbeten për kërkesën për naftë, duke përfshirë sfidat e lidhura me pandeminë dhe pasiguritë gjeopolitike.
Në raportin e OPEC parashikohet që produkti i brendshëm bruto botëror të rritet me 3.2 për qind në vitin 2023, duke supozuar se pandemia, zhvillimet gjeopolitike në Evropën Lindore dhe shtrëngimi financiar global në mes të inflacionit në rritje nuk ndikojnë negativisht në dinamikën e rritjes së vitit 2023 në një shkallë të madhe. (Elona)