Presidenti i ShBA-së Joe Biden do të vizitojë këtë javë Izraelin, Bregun Perëndimor të lumit Jordan të Palestinës dhe Arabinë Saudite. Kjo do të jetë vizita e tij e parë si president në Lindjen e Mesme. Në një artikull të botuar të shtunën në gazetën "The Washington Post", Biden-i pretendoi se kjo vizitë ka rëndësi "jetike" për sigurinë e ShBA-së dhe theksoi njëkohësisht "fitoren në konkurrencën me Kinën".

foto nga VCG

foto nga VCG

Pavarësisht nga fjalët "e mëdha" në artikullin e Biden-it lidhur me motivin e vizitës së tij në Lindjen e Mesme, CNN-i tha haptazi se asnjë fjalë nuk mund të mbulojë faktin se, pa lëkundjet në tregun global të naftës si pasojë e konfliktit ndërmjet Rusisë e Ukrainës, presidenti amerikan mund të mos shkonte në Lindjen e Mesme.

"Meqenëse kjo vizitë e Biden-it synon kryesisht shtimin e prodhimit të naftës nga Arabia Saudite dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pse ajo ka lidhje edhe me Kinën?" pyet në një koment të tij Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Për sa i përket politikës së brendshme amerikane, në arenën politike të Uashingtonit kundërshtimi i Kinës është bërë "korrektesa politike" më e rëndësishme. Çdo gjë nën pretekstin e kundërvënies ndaj Kinës bëhet "e arsyeshme", komenton më tej CMG-ja. Ashtu siç vuri në dukje uebsajti "Project Syndicate", nëse Biden-i e përfshin vizitën në Arabinë Saudite si pjesë të strategjisë për fitoren e "Luftës së re të Ftohtë" me Kinën, ai do të gjejë mirëkuptim në vend.

Më 20 tetor 2020, në portin Lianyungang të Kinës Lindore, 2400 automjete u ngarkuan në anije për eksportimin në Arabinë Saudite/ VCG

Më 20 tetor 2020, në portin Lianyungang të Kinës Lindore, 2400 automjete u ngarkuan në anije për eksportimin në Arabinë Saudite/ VCG

Ndërkohë, Lindja e Mesme, si nyjë e ndërtimit të "Një brez, një rrugë", ka pasur vazhdimisht rezultate në bashkëpunimin me Kinën, theksohet në artikullin e CMG-së, duke marrë si shembull Arabinë Saudite. Sipas të dhënave statistikore, gjatë periudhës nga viti 2000 deri më 2021 vëllimi i tregtisë ndërmjet Arabisë Saudite dhe ShBA-së u rrit vetëm me një përmasë të vogël nga 20.5 miliardë në 24.8 miliardë dollarë amerikanë. Ndërkohë, vëllimi i tregtisë i këtij vendi me Kinën u shtua nga 3 miliardë në 67 miliardë dollarë amerikanë. Nisma "Një brez, një rrugë" lidhet në mënyrë organike me "Vizionin 2030" të Arabisë Saudite dhe i ka sjellë këtij vendi raste të reja.

"Për këtë, politikanët amerikanë, që kanë mendësinë e 'lojës ku fituesi i merr të gjitha', kanë shumë zili, por edhe shqetësohen për ndikimin që mund të ketë kjo mbi forcën e ShBA-së në Lindjen e Mesme," thuhet në komentin e CMG-së. Kjo shpjegon nga një aspekt pse në Samitin e G7-s Biden-i shpalli nismën e ashtuquajtur "Partneritet për Infrastrukturën Globale". Është i dukshëm synimi i saj për t'iu kundërvënë nismës "Një brez, një rrugë" dhe për të dëmtuar bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë".

Jo vetëm kaq, por në sfondin e "globalizimit" të NATO-s me nxitjen e ShBA-së, edhe Lindja e Mesme është përfshirë në radarin e kësaj politike blloqesh. Në mars të këtij viti, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mori pjesë në Samitin Arabo-Izraelit, ndërsa kësaj here, presidenti Biden do të jetë i pranishëm në një samit të organizuar bashkërisht nga Këshilli i Bashkëpunimit i Vendeve të Gjirit dhe Egjipti, Iraku e Jordania. Opinioni është i mendimit se sinjalet janë të dukshme që ShBA-ja orvatet të krijojë një aleancë të re rajonale, madje të formojë "NATO-n e versionit të Lindjes së Mesme" për t'iu kundërvënë Kinës, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)