Foto nga VCG

Popullsia globale parashikohet të arrijë në 8 miliardë në nëntor, me Indinë që parashikohet të kalojë Kinën si vendi më i populluar në vitin 2023, bënë të ditur Kombet e Bashkuara (OKB) të hënën, në kuadër të Ditës Botërore të Popullsisë, njofton “Xinhua”.

“Është një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për t'u kujdesur për planetin tonë dhe një moment për të reflektuar se ku ne ende nuk i përmbushim angazhimet tona ndaj njëri-tjetrit”, -deklaroi shefi i OKB-së, Antonio Guterres.

Norma e rritjes është në nivelin më të ngadaltë që nga viti 1950, duke rënë nën 1 për qind në vitin 2020, sipas Perspektivave të Popullsisë Botërore 2022.

Popullsia e botës mund të rritet në rreth 8.5 miliardë në 2030 dhe 9.7 miliardë në 2050 dhe të arrijë kulmin në rreth 10.4 miliardë gjatë viteve 2080, dhe vendet në Afrikën Sub-Sahariane pritet të kontribuojnë më shumë se gjysmën e rritjes deri në vitin 2050, thuhet në raport.

Më shumë se gjysma e rritjes së parashikuar deri në vitin 2050 do të përqendrohet në tetë vende: Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Republika e Bashkuar e Tanzanisë.

“Rritja e shpejtë e popullsisë e bën më të vështirë zhdukjen e varfërisë, luftimin e urisë dhe kequshqyerjes dhe rritjen e mbulimit të sistemeve shëndetësore dhe arsimore. Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, veçanërisht atyre që lidhen me shëndetin, arsimin dhe barazinë gjinore, do të kontribuojë në uljen e niveleve të lindshmërisë dhe ngadalësimi i rritjes së popullsisë globale”, tha Liu Zhenmin, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale.

Fertiliteti ka rënë ndjeshëm në dekadat e fundit për shumë vende, thuhet në raport, duke vënë në dukje se dy të tretat e popullsisë globale sot jeton në një vend ose zonë ku lindshmëria gjatë gjithë jetës është nën 2.1 lindje për grua.

Për shkak të niveleve të ulëta të qëndrueshme të lindshmërisë dhe, në disa raste, ritmeve të larta të emigrimit, popullsia e 61 vendeve ose zonave parashikohet të ulet me 1 për qind ose më shumë midis viteve 2022 dhe 2050, tha ai.

Përqindja e popullsisë globale në moshën 65 vjeç e lart parashikohet të rritet nga 10 për qind në vitin 2022 në 16 për qind në vitin 2050, tha ai.

Jetëgjatësia mesatare globale parashikohet të jetë rreth 77.2 vjet në vitin 2050 me ulje të mëtejshme të vdekshmërisë, pasi viti 2019 pati një jetëgjatësi globale në lindje prej 72.8 vjetësh, një përmirësim prej gati 9 vjetësh që nga viti 1990.

Megjithatë, në vitin 2021, jetëgjatësia globale në lindje ra në 71 vjet, kryesisht për shkak të pandemisë, dhe jetëgjatësia në vendet më pak të zhvilluara mbeti 7 vjet pas mesatares globale.

Që nga viti 1990, Dita Botërore e Popullsisë, më 11 korrik, shënohet për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që lidhen me rritjen e popullsisë në mbarë botën. (Fatosi)