Foto nga VCG

Numri i njerëzve të prekur nga uria u rrit në 828 milionë në vitin 2021, një rritje prej 46 milionë nga viti i kaluar, bëri të ditur Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) në një raport të publikuar së fundi, cituar nga “Xinhua”.

Edicioni i vitit 2022 i raportit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerja në Botë” (SOFI), i hartuar nga FAO dhe katër agjenci të tjera të OKB-së, përmban shifra të reja mbi ushqimin dhe aksesueshmërinë e ushqimit në nivel global, duke përfshirë vlerësimet më të fundit të kostove dhe përballueshmërisë së një diete të shëndetshme.

Sipas raportit, numri i personave të prekur nga uria është rritur me 150 milionë që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19. Kjo do të rrezikonte ta shtynte bashkësinë ndërkombëtare më larg arritjes së objektivit të Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, i cili është t'i japë fund urisë dhe kequshqyerjes deri në vitin 2030.

“Pasi mbeti relativisht i pandryshuar që nga viti 2015, përqindja e njerëzve të prekur nga uria u rrit në vitin 2020 dhe vazhdoi të rritet në vitin 2021 në 9.8 për qind të popullsisë botërorë. Kjo krahasohet me 8 për qind në 2019 dhe 9.3 për qind në 2020. Numri i njerëzve të paaftë për të përballuar një dietë të shëndetshme u rrit me 112 milionë në pothuajse 3.1 miliardë, duke reflektuar ndikimet e rritjes së çmimeve të ushqimeve të konsumit gjatë pandemisë”, thuhet në raportin e SOFI.

Agjencitë e OKB-së shtuan se shifra aktuale mund të jetë edhe më e madhe pasi të dhënat përfundimtare për humbjet e të ardhurave në vitin 2020 të jenë të disponueshme.

“Konflikti ruso-ukrainas po prish zinxhirët e furnizimit dhe po ndikon më tej në çmimet e drithit, plehrave dhe energjisë. Në gjysmën e parë të vitit 2022, kjo rezultoi në rritje të mëtejshme të çmimeve të ushqimeve. Në të njëjtën kohë, ngjarjet më të shpeshta dhe më të rënda klimatike po prishin zinxhirët e furnizimit, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta”, -thuhet në raport.

Rreth 2.3 miliardë njerëz në botë, ose 29.3 për qind e popullsisë globale, vuajtën nga pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë në vitin 2021, një rritje prej 350 milionë krahasuar me para pandemisë.

Agjencitë e OKB-së u kërkuan qeverive të ripërdorin burimet që po përdorin për të nxitur prodhimin, furnizimin dhe konsumin e ushqimeve me vlera ushqyese në mënyrë që të ndihmojnë në bërjen e dietave të shëndetshme më pak të kushtueshme dhe më të përballueshme për të gjithë.

Raporti sugjeroi që qeveritë mund të bëjnë më shumë për të reduktuar barrierat tregtare për ushqimet me vlera ushqyese, si frutat dhe perimet. (Irma)