Foto nga VCG

Qeveria gjermane ka miratuar një projektligj të ri duke krijuar lehtësi për shumë emigrantë që jetojnë në këtë vend, por nuk kanë leje qëndrimi, bën të ditur “Deutsche Welle”, përcjell “RTSH”.

Qeveria gjermane miratoi një projektligj të ri për emigracionin. Rregullorja e re do të prekë rreth 105.000 persona që kanë jetuar në Gjermani për të paktën pesë vjet deri më 1 janar 2022.

Ata që kualifikohen duhet të aplikojnë fillimisht për një status qëndrimi njëvjeçar dhe më pas të aplikojnë për qëndrim të përhershëm në Gjermani.

Si kusht emigrantët duhet të vërtetojnë se fitojnë para të mjaftueshme për të bërë një jetë të pavarur në vend, të flasin gjermanisht dhe të dëshmojnë se janë të integruar mirë në shoqëri.

Po ashtu parashikohet edhe zgjatja e burgimit para dëbimit, për të dënuar të caktuar, deri në gjashtë muaj, derisa autoritetet të sigurojnë dokumentacionin e kërkuar. (Irma)