Foto nga VCG

Evropa po vuan nga sanksionet e veta të vendosura ndaj Rusisë për veprimin e saj ushtarak në Ukrainë, tha analisti kroat Marinko Ogorec në një intervistë me “Xinhua” të martën.

Rusia, e cila është një vend shumë i madh dhe ka potencialin për t'u bërë ballë sanksioneve, është përgatitur mirë për sanksionet perëndimore, tha Ogorec, duke shtuar se Evropa është shumë e varur nga energjia ruse, ndaj po vuan nën sanksionet e veta.

"Ne të gjithë e ndiejmë këtë në portofolin tonë, sepse çmimet po rriten çdo ditë",- vuri në dukje ai.

Për të zbutur çmimet në rritje të produkteve të naftës, qeveria kroate zgjati të hënën edhe me dy javë të tjera kufirin mbi çmimet e karburanteve me pakicë dhe me shumicë. Masa u prezantua për herë të parë më 20 qershor.

Muajin e kaluar, Zyra Kroate e Statistikave (CBS) tha se norma e inflacionit të vendit arriti një rekord prej 10.8 për qind në maj, niveli më i lartë që nga viti 2004, kur CBS filloi matjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve për konsum personal.

Sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë funksionuar deri tani, as nuk do të funksionojnë në të ardhmen, argumentoi Ogorec. Kur Evropa vendosi për sanksionet, pyetja dukej se sa kohë mund të duronte Rusia, tha ai. “Tani pyetja është se sa do të durojë Evropa”.

Ogorec tha se ndërsa konflikti në Ukrainë ka ndikuar shumë në çmimet e energjisë në mbarë botën, vendet evropiane tashmë kanë filluar të bëjnë presion ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe administratës së tij që të bien dakord edhe për një marrëveshje të keqe, vetëm për t'i dhënë fund historisë.

Sipas tij, situata në Ukrainë është në duart e Shteteve të Bashkuara dhe kjo “u shkon për shtat amerikanëve", të cilët kanë përfituar nga ky konfrontim. “Atyre u përshtatet që konflikti të zgjasë sa më shumë që të jetë e mundur dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë kaq shumë mbështetje Ukrainës”, - tha ai.

Megjithatë, Ukraina, e cila ka pësuar humbje të tmerrshme njerëzore dhe materiale, duhet të fillojë të mendojë se çfarë të bëjë më pas, tha Ogorec. (Elona)