Foto: VCG

Foto: VCG

Turqia ndaloi të martën hyrjen në të gjitha pyjet e qytetit të saj më të madh, Stamboll, deri në fund të korrikut për shkak të rrezikut nga zjarret, sipas zyrtarëve lokalë.

Guvernatori i Stambollit Ali Yerlikaya njoftoi në “Twitter” se të gjitha llojet e aktiviteteve që përfshijnë zjarrin dhe karburantin, si pjekja në skarë dhe pirja e nargjileve, janë gjithashtu rreptësisht të ndaluara në parqet kombëtare, parqet lokale dhe zonat e piknikut dhe ekoturizmit, përcjell “Xinhua”.

Ai vuri në dukje se në një qytet me një popullsi prej më shumë se 16 milionë banorësh, aktivitetet njerëzore në zona të tilla, të cilat zakonisht janë të mbushura me vendas gjatë muajve të verës, mund të ndezin lehtë zjarret. Shqetësimet për zjarret në pyje janë rritur në vend pasi një zjarr masiv shkaktoi shkatërrime në Turqinë jugperëndimore duke djegur rreth 4000 hektarë pyje muajin e kaluar. Policia ndaloi një burrë i cili ka pranuar se e ndezi zjarrin pas një sherri me familjarët e tij.

Provincat perëndimore të vendit, Izmir dhe Çanakala, gjithashtu raportuan zjarre gjatë javës së kaluar.

Verën e kaluar, Turqia u godit nga një nga zjarret pyjore më të rëndë në historinë e saj, nxitur nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe lagështia e ulët, e cila përfshiu 53 provinca, duke vrarë të paktën tetë njerëz dhe shumë kafshë. (Elona)