Sulmet me arme ne SHBA (Foto Xinhua)

Sulmet me arme ne SHBA (Foto Xinhua)

Të shtënat në shkolla në vitin shkollor 2020-2021 u rritën në numrin më të lartë në 20 vjet, sipas një raporti të ri të publikuar të martën.

Gjithsej 93 të shtëna me viktima kanë ndodhur në shkollat fillore dhe të mesme, publike dhe private, gjatë vitit të kaluar shkollor, sipas raportit prej 31 faqesh të publikuar nga Qendra Kombëtare për Arsimin (NCES), pjesë e Departamentit të Arsimit të SHBA-së dhe Institutit të Shkencave të Edukimit, citon “Xinhua”.

Gjatë vitit shkollor 2000-2001 ka pasur vetëm 23 të shtëna me armë zjarri me viktima në shkolla.

“Megjithëse shkalla e viktimizimit të dhunshëm në shkolla për 12-18-vjeçarët ishte më e ulët në 2019-n sesa në 2009-n, në vitin 2021 pati më shumë të shtëna në shkollë me viktima sesa në çdo vit tjetër që kur filloi mbledhja e të dhënave në fillim të viteve 2000, duke u rritur nga 11 në 2009-n në 93 në 2021-shin”, -tha komisionerja e NCES, Peggy G. Carr në një njoftim për shtyp.

“Ndërsa ndikimi i qëndrueshëm i këtyre çështjeve të krimit dhe sigurisë nuk mund të matet vetëm me statistika, këto të dhëna janë të vlefshme për përpjekjet e politikëbërësve tanë, zyrtarëve të shkollave dhe anëtarëve të komunitetit për të identifikuar dhe zbatuar masa parandaluese dhe reaguese”, -shtoi ajo.

Raporti i fundit vjen javë pas të shtënave masive në shkollën fillore “Robb” në Uvalde, Teksas, që la të vdekur 19 fëmijë dhe dy të rritur më 24 maj.

Më shumë se 21.500 njerëz kanë vdekur për shkak të dhunës me armë në të gjithë Shtetet e Bashkuara deri tani këtë vit, sipas të dhënave më të fundit nga “Gun Violence Archive”, një organizatë jofitimprurëse që gjurmon dhunën e lidhur me armë në vend. (Elona)