Ngarkesa e dytë e ndihmave për tërmetin, të ofruara nga qeveria kineze, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit në Afganistan të martën dhe iu është dorëzuar palës afgane, njoftoi “Xinhua”.

Zabihullah Mujahid, zëdhënësi kryesor i qeverisë së udhëhequr nga talebanët, shkroi në mediat sociale se dy aeroplanë mallrash kinezë dërguan furnizimet humanitare të martën në mëngjes.

Një tërmet i fuqishëm tronditi Afganistanin juglindor ditë më parë, duke vrarë më shumë se 1000 persona dhe plagosur afro 2000 të tjerë ndërsa shkatërroi dhjetëra mijëra shtëpi.

Të hënën mbrëma, pas mbërritjes së grupit të parë të furnizimeve, ambasadori kinez në Afganistan, Wang Yu, dhe Ghulam Ghaws Naseri, ushtrues detyre i ministrit të Shtetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Çështjet Humanitare të qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga talebanët, morën pjesë në një ceremoni dorëzimi në aeroport. Në ceremoni, Wang tha se qeveria kineze vendosi të sigurojë 50 milionë juanë (rreth 7.5 milionë dollarë amerikanë) në furnizime të ndihmës humanitare urgjente për Afganistanin dhe grupi i parë i furnizimeve përfshinte tenda, shtretër të palosshëm dhe batanije.

Naseri falënderoi Kinën për ofrimin e furnizimeve menjëherë pas tërmetit dhe tha se masa demonstroi miqësinë e gjatë midis popujve të dy vendeve. (Elona)