Në një mbledhje të kabinetit të Nepalit u vendos ditët e fundit që të ndalohet nxitja e bashkëpunimit me ShBA-në mbi Programin e Partneritetit Shtetëror (SPP). Opinioni publik ka vënë re se, kur morën këtë vendim, partitë e ndryshme dhe ushtria e Nepalit mbajnë të njëjtin qëndrim, që do të thotë se "pranimi në SPP nuk përputhet me interesat e Nepalit" dhe se diskutimi i kësaj teme duhet "të mbyllet përfundimisht" . Sipas analistëve, vendimi i palës nepaleze nënkupton një shpartallim të së ashtuquajturës "Strategji e Indo-Paqësorit" të ShBA-së.

SPP është një program shkëmbimesh ndërmjet Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve partnere, i nisur në vitet '90 të shekullit të kaluar, që synon t'i ndihmojë vendet përkatëse në "reformimin" e forcave të mbrojtjes kombëtare pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ky program ka shërbyer si mjet i ShBA-së për depërtimin ushtarak në vende të tjera. Revista amerikane "The Diplomat" vuri në dukje haptazi se "duke u kamufluar si veprim humanitar, SPP-ja është një vegël e ShBA-së për realizimin e objektivave të saj politike e strategjike." Ndërsa gazeta nepaleze "The Kathmandu Post" u shpreh se sot SPP-ja është pjesë e së ashtuquajturës "Strategji e Indo-Paqësorit" të ShBA-së.

foto nga VCG

foto nga VCG

Sipas mediave nepaleze, qysh nga viti 2015, pala amerikane i ka kërkuar disa herë Nepalit të anëtarësohet në SPP, por ky i fundit nuk ka pranuar për shkak të shqetësimit për krijimin e një aleance ushtarake. Projekti i bashkëpunimit SPP ndërmjet Nepalit dhe ShBA-së, i ekspozuar ditët e fundit, përfshin manovrat e përbashkëta ushtarake në zonën nepaleze të rrafshnaltës, hyrjen pa kufizim dhe ndërtimin e infrastrukturës në territorin e Nepalit të Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, një organizatë paraushtarake amerikane, ofrimin nga pala amerikane palës nepaleze të informacioneve antiterroriste dhe pajisjeve ushtarake etj. Është e dukshme se këto pika të projektit kanë ngjyresë të theksuar ushtarake dhe kanë për qëllim ndërhyrjen në punët e brendshme të Nepalit. Ky projekt ka ngjallur debate të mëdha në Nepal. Vendimi ditët e fundit i kabinetit të këtij vendi mbi ndalimin e nxitjes së bashkëpunimit lidhur me SPP-në përputhet me interesat kombëtare të Nepalit, si dhe politikën e jashtme të paangazhuar dhe të ekuilibruar të këtij vendi.

Nepali, që gjendet buzë shpatit jugor të maleve Himalaja, kufizohet me Kinën e Indinë dhe ka një pozitë shumë të rëndësishme gjeopolitike. Por popujt e Azi-Paqësorit, që kanë përjetuar luftëra "të ngrohta e të ftohta", i mbajnë mend dhe sot konfliktet dhe kundërvëniet nga hegjemonia, komentoi Grupi Mediatik i Kinës në një artikull. Ato kërkojnë stabilitet kombëtar dhe lumturinë e jetës së popujve të tyre. Vendimi i palës nepaleze tregon një përgjigje të ftohtë ndaj "Strategjisë së Indo-Paqësorit" të ShBA-së dhe kjo ndoshta është një pikënisje që më shumë vende të rajonit të bëjnë zgjedhjen e tyre duke u nisur nga interesat e veta, mbyllet komenti. (Wang Lei/ Artan)