Viktimat Teksas RTSH

Viktimat Teksas RTSH

Të paktën 46 persona, që besohet se janë emigrantë pa dokumente, u gjetën të vdekur të hënën brenda një kamioni me rimorkio në San Antonio, një qytet i madh në shtetin jugor qendror të Shteteve të Bashkuara, Teksas, thanë autoritetet.

16, mes të cilëve 4 fëmijë, janë transportuar në spitalet e zonës, me të paktën 5 prej tyre që raportohet se janë në gjendje kritike, sipas policisë së San Antonios dhe zyrtarëve të zjarrfikësve, bën të ditur “Xinhua”.

Ata që u gjetën të gjallë vuanin nga nxehtësia dhe rraskapitja dhe nuk kishte asnjë shenjë uji në rimorkio dhe asnjë njësi të dukshme të ajrit të kondicionuar, tha shefi i zjarrfikësve të San Antonios, Charles Hood.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA, termometri në San Antonio shënoi 38.3 gradë celsius të hënën, ndërsa nxehtësia në një rimorkio të mbushur ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë se kaq.

Kryetari i bashkisë Ron Nirenberg e cilësoi ngjarjen një tragjedi të tmerrshme njerëzore, ndërsa guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, kritikoi presidentin amerikan Joe Biden për tragjedinë, që sipas tij është rezultat i politikave të shefit të Shtëpisë së Bardhë. (Elona)