Programi i Ushqimit Etiopi (Foto Wfp. org)

Programi i Ushqimit Etiopi (Foto Wfp. org)

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) paralajmëroi se efekti i valëzuar i konfliktit Rusi-Ukrainë kërcënon të përkeqësojë krizën ushqimore në Etiopi.

Në një raport të përditësuar operacional, përcjellë nga “Xinhua”, “WFP” bën të ditur se Ukraina dhe Rusia përbëjnë mbi tre të katërtat e stokut të grurit të Programit të Ushqimit të OKB-së, duke ushtruar më tej presion mbi operacionet e saj në të gjithë globin, përfshirë Etiopinë.

Sipas raportit të WFP-së, Etiopia është një importues i madh i grurit si nga Ukraina ashtu edhe nga Rusia dhe me ndërprerjen e furnizimit kërcënohet të përkeqësohet pasiguria ushqimore në vendin e Afrikës Lindore.

“Kriza në Ukrainë kërcënon gjithashtu të shtyjë koston e grurit dhe plehrave përtej mundësive të miliona fermerëve etiopianë, duke kërcënuar të korrat e këtij viti”, -thuhet në raport.

Sipas të dhënave zyrtare, Etiopia regjistroi një inflacion rekord prej 43.9 për qind të ushqimeve në maj, me një kombinim të konfliktit dhe thatësirës që kontribuoi në rritjen e çmimeve të ushqimeve në vend.

Agjencia e OKB-së paralajmëroi gjithashtu se ka një krizë të kequshqyerjes në Etiopi për shkak të mungesës së madhe të fondeve për operacionet e saj.

Agjencia e OKB-së synon të arrijë më shumë se 11 milionë njerëz të cenueshëm në Etiopi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, por po përballet me një hendek financimi prej 470 milionë dollarësh. (Irma)