Irani kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kthehen në bisedimet bërthamore të Vjenës për nënshkrimin e një marrëveshjeje për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “IRNA”, citon “Xinhua”.

Foto:VCG

“Irani po lëviz në drejtimin e diplomacisë dhe është i gatshëm të arrijë një marrëveshje të mirë, të qëndrueshme dhe efektive”, -deklaroi në një konferencë shtypi Saeed Khatibzadeh, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Duke kritikuar politikën e standardeve të dyfishta të SHBA-së, Khatibzadeh tha se amerikanët kanë vazhduar politikat e ish-presidentit Donald Trump, pavarësisht pretendimit të tyre për t'i rregulluar ato.

Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore, të njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të udhëhequra nga SHBA. Megjithatë, ish-presidenti amerikan Trump e tërhoqi SHBA-në nga JCPOA në maj 2018 dhe rivendosi sanksionet e njëanshme ndaj Iranit.

Që nga prilli 2021, tetë raunde bisedimesh janë mbajtur në kryeqytetin austriak midis Iranit dhe palëve të mbetura të JCPOA për të ringjallur marrëveshjen. Megjithatë, bisedimet janë pezulluar që nga marsi, kur besohej se ishte vetëm një hap larg një marrëveshjeje përfundimtare, duke ngritur shqetësime të thella për perspektivën e tyre. (Irma)