Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar reforma në BE në mënyrë që të lehtësohen pranimet e anëtarëve të rinj në Bashkimin Europian.

“Jo vetëm kandidatët për anëtarësim duhet të përgatiten, por edhe BE vetë duhet të përgatitet për zgjerimin e Unionit”, tha politikani socialdemokrat gjerman në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, “DPA”, citon “RTSH”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz(Foto:VCG)

Kancelari gjerman, Olaf Scholz(Foto:VCG)

Sipas tij, BE-ja duhet të modernizojë strukturat dhe proceset vendimmarrëse dhe theksoi se jo gjithmonë do të mund të vendosen mbi parimin unanim të gjitha ato vendime që merren unanimisht.

Përveç çështjeve të tjera të ngritura së fundi, vëmendja e kancelarit gjerman i drejtohet edhe Ballkanit Perëndimor, ku Scholz zhvilloi një tur vizitash së fundmi. Që më parë ai është shprehur, se duhet mbajtur një qëndrim i drejtë me Ballkanin Perëndimor dhe të mbahen premtimet.

Ai theksoi se shpreson që nga samiti i ardhshëm i BE-së të dalë edhe një impuls për vendet e Ballkanit Perëndimor, që prej dy dekadash presin për anëtarësimin në BE. “Vendeve të Ballkanit Perëndimor ne duhet t’u tregojmë se e kemi seriozisht. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i plotësojnë të gjitha kriteret për hapjen e negociatave konkrete për anëtarësimin në BE, ato duhet të fillojnë tani”, -tha kancelari gjerman.

Statusi i vendit kandidat mund të jepet vetëm me një votë unanime. Për zbutjen e këtij parimi ka prej kohësh shumë diskutime në BE. Problemi është, se edhe për reformimin e vendimit unanim duhet që të vendosin njëzëri krerët e shteteve dhe qeverive në BE. Parlamenti Europian kishte kërkuar para një jave reforma të zgjeruara të konventës europiane dhe që të hiqet dorë nga parimi i vendimit unanim gati në të gjithë fushat e politikës. (Irma)