Foto: VCG

Foto: VCG

Gjiganti rus i gazit “Gazprom” njoftoi se do të ndalojë dërgimin e gazit përmes dy tubacioneve të gazsjellësit “Turkish Stream”, nga 21 deri më 28 qershor, për shkak të punimeve të mirëmbajtjes së planifikuar vjetore, përcjell “Xinhua”.

Kompania njoftoi se për pezullimin e dërgimit të gazit është rënë dakord paraprakisht nga të gjitha palët e interesuara.

Gazsjellësi “Turkish Stream”, që kalon përmes shtratit të Detit të Zi, përbëhet nga dy tubacione, njëra që furnizon me gaz konsumatorët turq dhe tjetra vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore.

Tubacioni filloi funksionimin në janar 2020 me një kapacitet total prej 31.5 miliardë metra kub në vit.

Në fillim të javës së kaluar, “Gazprom” njoftoi se do të reduktonte ndjeshëm shpërndarjen e gazit në Evropë përmes tubacionit “Nord Stream 1” në jo më shumë se 67 milionë metra kub në ditë, duke përmendur dështimin e “Siemens”, prodhuesit të motorëve të turbinave me gaz, për të ofruar në kohë shërbimin e mirëmbajtjes. (Irma)