Foto: VCG

Foto: VCG

Kenia planifikon të tërheqë investitorët kinezë për të ndihmuar në nxitjen e agjendës së energjisë së gjelbër të vendit, deklaroi Peter Mbugua, shefi ekzekutiv i Korporatës shtetërore të Elektrifikimit dhe Energjisë së Rinovueshme.

Ai deklaroi për “Xinhua”, gjatë një konference për energjinë e qëndrueshme të mbajtur në Naivasha, se Kina është një lider global në zhvillimin dhe përdorimin e energjisë së qëndrueshme.

Sipas Autoritetit Rregullator të Energjisë dhe Naftës në pronësi shtetërore, kapaciteti i instaluar i Kenias për gjenerimin e energjisë elektrike prej 2990 MW përbëhet nga 29 për qind gjeotermale, 28 për qind hidrocentrale, 23 për qind termike, 15 për qind e erës, ndërsa solari përbën pjesën e mbetur.

Të dhënat nga Ministria e Energjisë tregojnë se Kenia ka një potencial të vlerësuar prej 10.000 MW gjeotermale, 4600 MW të erës dhe 18.000 MW të energjisë diellore.

Mbugua theksoi se Kenia do të dëshironte gjithashtu të punonte ngushtë me kompanitë kineze në mënyrë që pasi të përfundojnë projektet e energjisë, kombi i Afrikës Lindore të mund të përfitojë nga transferimi i teknologjisë.

Po ashtu Mbugua tha se Kenia është e prirur të bashkëpunojë me Kinën në fushën e kërkimit dhe zhvillimit në mënyrë që të gjenerojë burime shtesë të rinovueshme të energjisë. (Irma)