Shkembimet kulturore Greqi - Kine (Foto Womenofchina)

Shkembimet kulturore Greqi - Kine (Foto Womenofchina)

Shkëmbimet kulturore hapin mendjet e njerëzve dhe ndihmojnë për të afruar Greqinë dhe Kinën, deklaroi gjatë një interviste për “Xinhua” zëvendësministri grek përgjegjës për kulturën bashkëkohore, Nicholas Yatromanolakis.

Sipas tij, nëpërmjet shkëmbimeve të tilla bëhemi qytetarë më të mirë dhe njerëz më të mirë, sepse hapim mendjen ndaj ideve dhe koncepteve të reja.

Në hapjen e një programi të ri ekspozimi në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor të Athinës (EMST), ai shtoi: “Jemi shumë të lumtur që në fakt ky vit është një vit i shkëmbimeve intensive greko-kineze në fushën e kulturës”.

Të dy vendet kanë festuar Vitin e Kulturës dhe Turizmit Kinë-Greqi me një sërë ngjarjesh muajt e fundit.

“Si dy qytetërime të mëdha të lashta, Greqia dhe Kina kanë të dyja një trashëgimi të pasur kulturore. Ato gjithashtu kanë shumë për të treguar për sa i përket krijimit bashkëkohor”, -tha zyrtari grek.

EMST, e cila u mbyll gjatë pandemisë, tashmë ka rifilluar funksionimin e plotë dhe po bashkëpunon me institucionet kineze. Një program i ri që përfshin shtatë ekspozita të artit bashkëkohor do të zgjasë deri më 30 tetor 2022.

“Është e rëndësishme të nderosh të shkuarën dhe të tashmen, të nderosh kultura të ndryshme dhe të jesh i hapur ndaj ideve të ndryshme në mbarë botën”, -theksoi Yatromanolakis.

Drejtoresha artistike e EMST, Katerina Gregos, deklaroi për “Xinhua”: “Unë mendoj se një muze publik ka për detyrë të merret me çështje që janë të rëndësishme për shoqërinë. Dhe fokusi i këtij muzeu do të jetë si në çështjet sociopolitike, në çështjet mjedisore dhe në ato që sot i konsiderojmë më të kyçet dhe më kritiket. Unë besoj shumë në rolin e muzeut publik si një motor për edukimin, për dijen, për krijimin e ndërgjegjësimit shoqëror”. (Fatosi)