Rezerva Federale rriti të mërkurën normën e interesit me 75 pikë bazë, rritja më e madhe e njëhershme e saj që nga viti 1994. Kjo rritje u krye në sfondin kur çmimet në ShBA vazhduan të rriten më shumë sesa pritej në maj të këtij viti, me CPI-në që arriti në 8.6%, niveli më i lartë në 40 vjet. Në përgjigje, analisti i “Moody's” Ryan Sweet paralajmëroi se përpjekja e Rezervës Federale për të rritur normat e interesit për të frenuar inflacionin do të minonte gjithashtu rritjen ekonomike. “Bloomberg” beson se "vetëm disa muaj më parë, dukej e pamundur të thuhej se ekonomia e ShBA-së do të binte në një recesion, por tani, është pothuajse e pashmangshme".

Sot, ekonomia e SHBA-së është në dilemën e rritjes së normave të interesit duke dëmtuar ekonominë, dhe të rritjes së normave të interesit jo mjaftueshëm për të frenuar inflacionin. Sipas vlerësimeve, kjo dilemë është e lidhur ngushtë me politikën tregtare dhe monetare të ShBA-së viteve të fundit. Në vitin 2018, ShBA-ja provokoi një mosmarrëveshje tregtare me Kinën dhe vendosi tarifa mbi produktet kineze të eksportuara në ShBA me vlerë qindra miliardë dollarë. Prandaj, çdo familje amerikane duhej të paguante 2031 dollarë shtesë në vit. Si përgjigje ndaj ndikimit të epidemisë, qeveria amerikane shpalli politika fiskale në shkallë të gjerë dhe "paketa të kombinuara" të politikave monetare ultra të lirshme, duke shkaktuar një çekuilibër serioz midis ofertës dhe kërkesës. Që nga konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, ShBA-ja dhe aleatët e saj kanë vendosur sanksione mbi Rusinë, duke ndërprerë seriozisht zinxhirin e furnizimit dhe zinxhirin industrial global. Mund të thuhet se ekonomia e ShBA-së është futur në dilemë dhe është goditur plotësisht nga masat e saj politike. Ky është një "efekt bumerang" tipik. (Zhan Dian/Artan)