Turqia planifikon të ketë gjithsej 10 satelitë në hapësirë deri në vitin 2023, si pjesë e programit të saj kombëtar hapësinor, deklaroi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Kjo shënon një tjetër pikë kthese në aventurën tonë hapësinore. Me programin kombëtar hapësinor, është detyra jonë të mbrojmë të drejtat e vendit tonë në hapësirë, ashtu si në tokë, në det dhe në ajër”, -tha Erdogan në një ceremoni për të shënuar hyrjen në shërbim të satelitit TURKSAT 5B, citon “Xinhua”.

Sateliti TURKSAT 5B, i lëshuar në vitin 2021, do të shërbejë për rreth 30 vjet, tha Erdogan, duke shtuar se është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurimin e komunikimeve ushtarake.

“Pasi lëshuam TURKSAT 5A dhe TURKSAT 5B vitin e kaluar, ne jemi bërë një nga vendet e pakta të aftë për të dërguar dy satelitë në hapësirë në të njëjtin vit”, -tha Erdogan.

Presidenti turk zbuloi gjithashtu se Turqia do të lëshojë IMECE, satelitin e vëzhgimit të prodhuar në vend, dhe TURKSAT 6A në vitin 2023.

Programi kombëtar hapësinor i Turqisë synon të dërgojë një mjet hapësinor në Hënë, të trajnojë shkencëtarë për programet ndërkombëtare hapësinore dhe të bëjë investime në industrinë hapësinore, tha Erdogan. (Elona)