Spanja është aktualisht në mes të valës më të keqe të të nxehtit të qershorit në 20 vitet e fundit, me thuajse të gjitha rajonet në gatishmëri për temperatura jashtëzakonisht të larta.

Pjesë të Spanjës jugore, të tilla si rajonet e Andaluzisë, po përjetojnë temperatura mbi 40 gradë celsius, me Kordobën që regjistroi temperatura prej 43 gradë celsius.

Në kryeqytetin Madrid, termometri arriti në mbi 35 gradë dhe nuk pritet ndryshim të paktën deri në fundjavë, bën të ditur “Xinhua”.

“Nuk është normale të kemi një valë kaq ekstreme të të nxehtit në këtë kohë të vitit. Është vala më intensive e të nxehtit në mes të qershorit në 20 vitet e fundit”, -tha Ruben del Campo, zëdhënësi i Agjencisë Meteorologjike Spanjolle (AEMET).

Disa pjesë të Spanjës kanë regjistruar temperaturat më të larta që nga fillimi i shekullit dhe një nga dimrat më të thatë në histori, gjë që i ka lënë rezervuarët e Spanjës në nivele të ulëta shqetësuese. (Elona)