Gjiganti kinez i kompjuterëve “Lenovo” hapi dyert për objektin e tij të parë evropian të prodhimit të brendshëm në Hungari të martën.

Me qendër në Ullo, afër Budapestit, fabrika do të ndërtojë kryesisht infrastrukturë serverash, sisteme ruajtjeje dhe stacione pune PC të nivelit të lartë të përdorur nga klientët në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe madje edhe Afrikën, bën të ditur “Xinhua”.

Fabrika e re do të krijojë potencial të fortë ekonomik si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik në Hungari, sipas kompanisë.

Francois Bornibus, zëvendëspresident i lartë në “Lenovo”, tha se vendndodhja në Hungari i vendos shumë më afër klientëve evropianë, në mënyrë që të mund të përmbushin nevojat e tyre.

Bornibus tha se objekti i ri do të luajë një rol kyç në sjelljen e teknologjisë më të zgjuar në Evropë në mënyrë më të qëndrueshme, të shpejtë dhe efikase.

Ndërtesa e re është pajisur me panele diellore me një kapacitet prej 0.5 megavat, energji e mjaftueshme për të furnizuar me energji një fshat të vogël. Ndërtimi i pajisjeve në vend gjithashtu redukton në mënyrë dramatike kilometrat e transportit të mallrave, duke ofruar mundësi më të qëndrueshme transporti.

Objekti hungarez është pjesë e strategjisë globale të prodhimit dhe zinxhirit të furnizimit të “Lenovo”-s, duke u shërbyer klientëve në 180 tregje nga mbi 35 vende prodhimi në mbarë botën, duke përfshirë vende në Argjentinë, Brazil, Kinë, Gjermani, Indi, Japoni, Meksikë dhe SHBA.

“Lenovo” është fuqia globale e teknologjisë me të ardhura prej 70 miliardë dollarësh, e renditur në vendin e 159 në “Fortune Global 500”. Ajo punëson 75.000 njerëz në mbarë botën dhe u shërben miliona klientëve çdo ditë. (Elona)