Ukraina dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për tekstin përfundimtar të një marrëveshjeje për liberalizimin e transportit rrugor.

Në një njoftim në “Facebook”, Ministria e Infrastrukturës së Ukrainës bëri të ditur se marrëveshja, e cila është caktuar të nënshkruhet deri në fund të këtij muaji, do të përmirësojë dhe përshpejtojë ndjeshëm logjistikën midis Ukrainës dhe BE-së, citon “Xinhua”.

Në veçanti, marrëveshja parashikon që BE-ja të anulojë detyrimin për transportuesit ukrainas për të marrë leje speciale për transportin e mallrave në BE.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sot, kur, në kushtet e bllokadës së porteve detare, ekonomia e Ukrainës është plotësisht e varur nga logjistika e qëndrueshme në kufijtë perëndimorë”, -tha Oleksandr Kubrakov, ministri ukrainas i Infrastrukturës.

Ukraina dhe BE filluan negociatat për liberalizimin e transportit rrugor vitin e kaluar. Pas fillimit të konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt, 12 vende të BE-së kanë lejuar përkohësisht kalimin pa leje për mallrat ukrainase. (Elona)