foto nga VCG

foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi pasditen e së mërkurës një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Xi Jinping-u vuri në dukje se, që nga fillimi i këtij viti, përballë trazirave dhe ndryshimeve globale, marrëdhëniet kino-ruse kanë ruajtur prirjen e mirë të zhvillimit. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe ura e autostradës Heihe-Blagoveshchensk është hapur për trafikun, duke krijuar një kanal të ri lidhjeje midis dy vendeve. Pala kineze është e gatshme të punojë me palën ruse për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të bashkëpunimit pragmatik dypalësh. Kina po ashtu është e gatshme që, së bashku me Rusinë, të vazhdojë mbështetjen e ndërsjellë për çështje që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës, si sovraniteti dhe siguria, të intensifikojë bashkërendimin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë komunikimin e bashkërendimin në organizatat kryesore ndërkombëtare e rajonale, si Kombet e Bashkuara, BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait. Po ashtu, Pekini dëshiron të nxitë solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet tregjeve të reja dhe vendeve në zhvillim, duke promovuar zhvillimin e rendit ndërkombëtar dhe qeverisjes globale në një drejtim më të drejtë dhe më të arsyeshëm.

Nga ana e tij, Putini u shpreh se, nën udhëheqjen e fortë të presidentit Xi Jinping, Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme zhvillimore dhe pala ruse shpreh urimet e saj të përzemërta. Që nga fillimi i këtij viti, bashkëpunimi praktik Rusi-Kinë është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Pala ruse mbështet Nismën e Sigurisë Globale të propozuar nga pala kineze dhe kundërshton ndërhyrjen prej çfarëdo force në punët e brendshme të Kinës me pretekstin e të ashtuquajturave çështje të Xinjiang-ut, Hong-Kongut, Tajvanit etj. Ai tha se Rusia është e gatshme të bëjë përpjekje konstruktive për të promovuar shumëpolarizimin e botës dhe për të ndërtuar një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe më të arsyeshëm.

Të dy krerët e shteteve shkëmbyen mendime edhe për çështjen e Ukrainës. Xi Jinping-u theksoi se Kina është nisur gjithmonë nga largpamësia historike dhe nga ajo se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar në çështjen e Ukrainës, ka bërë gjykime të pavarura, ka promovuar në mënyrë aktive paqen botërore dhe ka promovuar qëndrueshmërinë e rendit ekonomik global. Të gjitha palët duhet të nxitin zgjidhjen e duhur të krizës së Ukrainës në një mënyrë të përgjegjshme. Kina është e gatshme të vazhdojë të luajë rolin e duhur në këtë drejtim.