Foto nga VCG

Gati 70 vende në sesionin e 50-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, që u zhvillua të martën në Gjenevë, kundërshtuan përdorimin e çështjeve të të drejtave të njeriut për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës.

Në emër të këtyre vendeve, Kuba theksoi se çështjet e Xinjiang-ut, Hong-Kongut dhe Tibetit janë punë të brendshme të Kinës, duke kundërshtuar politizimin e çështjeve të të drejtave të njeriut, standardet e dyfishta dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nën pretekstin e të drejtave të njeriut.

Lisandra Astiasaran Arias, këshilltare e misionit të përhershëm të Kubës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, u shpreh se respektimi i sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve sovrane janë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ajo shtoi se të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën e popujve të vendeve të ndryshme për të zgjedhur rrugën e vet të zhvillimit sipas kushteve të tyre kombëtare dhe t'u kushtojnë rëndësi të barabartë të gjitha llojeve të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave ekonomike, shoqërore e kulturore dhe së drejtës së zhvillimit.

Në një deklaratë të përbashkët në Këshill, Shtetet e Bashkuara, Holanda dhe disa vende të tjera shprehën "shqetësime serioze" për gjendjen e të drejtave të njeriut në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës.

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Chen Xu, u shpreh se Këshilli është bërë "gjithnjë e më shumë i politizuar e kundërvënës" dhe që "dezinformimi është bërë i shfrenuar". Ai bëri thirrje për më shumë bashkëpunim dhe dialog.