Superkompjuteri më i fuqishëm në Evropë u zbulua të hënën në Kajaani të Finlandës. Superkompjuteri i klasit botëror, i quajtur LUMI, është në pronësi të Ndërmarrjes së Përbashkët të Informatikës Evropiane me Performancë të Lartë (EuroHPC JU) dhe drejtohet nga një konsorcium prej dhjetë vendesh evropiane, bën të ditur “Xinhua”.

Kompjuteri shërben si një platformë për kërkime dhe zhvillim të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë kuantike.

Margarethe Vestager, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian, e përshkroi kompjuterin si një hap të madh në transformimin digjital dhe të gjelbër të Evropës.

LUMI është shtatë herë më i shpejtë se superkompjuterët më të fuqishëm në Evropë dhe do të jetë një nga platformat kryesore për inteligjencën artificiale në nivel global, tha Vestager. Sipas saj, autonomia digjitale e Evropës varet nga zotërimi i gjeneratës së ardhshme të superkompjuterëve.

“EuroHPC” bëri të ditur se kapaciteti masiv llogaritës i LUMI-t bazohet kryesisht në procesorët e tij të shumtë grafikë ose procesorët GPU. Ata janë veçanërisht të përshtatshëm për t'u përdorur me metoda të ndryshme të inteligjencës artificiale.

LUMI është aktualisht ndër superkompjuterët më të mirë globalisht dhe operon me energji hidroelektrike të rinovueshme. (Elona)