Ndryshe nga pohimet e mëparshme se pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte një proces i shpejtë, sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Suedi të hënën, tha se nuk ka asnjë mënyrë për të thënë saktësisht se kur do të ndodhë.

Ndërsa parlamentet e disa vendeve anëtare të NATO-s kanë miratuar tashmë ofertën e dy vendeve nordike për t'u bashkuar me aleancën, Turqia nuk e ka dhënë dritën jeshile, duke përmendur si shqetësim lidhjet e dy vendeve me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe grupe të tjera që Turqia i etiketon si terroristë, bën të ditur “Xinhua”.

Ankaraja zyrtare ka shprehur gjithashtu pakënaqësinë e saj për embargon e armëve të Suedisë ndaj Turqisë dhe pavarësisht shpresave se këto çështje do të zgjidheshin përpara samitit të NATO-s në Madrid në fund të muajit, Stoltenberg tha të hënën se samiti i Madridit nuk ishte kurrë një afat përfundimtar.

“Ne po punojmë për të gjetur zgjidhjen sa më shpejt të jetë e mundur. Por kur përfshihen shumë vende ose disa vende, nuk ka asnjë mënyrë për të thënë saktësisht se kur këto vende do të jenë në gjendje të bien dakord”, -tha ai.

Gjatë takimit me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, të dielën, Stoltenberg i quajti shqetësimet e Turqisë “legjitime".

Shefi i NATO-s tha se ai shpresonte se sinjalet e fundit nga Suedia dhe Finlanda do t'i afronin ata një hap më pranë anëtarësimit të aleancës ushtarake. (Elona)