104 raste të tjera të lisë së majmunëve janë zbuluar në Angli. /AP

104 raste të tjera të lisë së majmunëve janë zbuluar në Angli. /AP

Zyrtarët britanikë të shëndetësisë kanë zbuluar 104 raste të tjera të lisë së majmunëve në Angli, në atë që është bërë shpërthimi më i madh përtej Afrikës i kësaj sëmundjeje normalisht të rrallë.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar tha të hënën se tani kishte 470 raste të lisë së majmunëve në të gjithë vendin, shumica dërrmuese te meshkuj homoseksualë ose biseksualë. Shkencëtarët paralajmërojnë se kushdo, pavarësisht nga orientimi seksual, mund të preket prej lisë së majmunëve nëse është në kontakt të ngushtë fizik me një person të infektuar ose me rrobat ose shtrojat e tij.

Sipas të dhënave të Mbretërisë së Bashkuar, 99 për qind e rasteve deri më tani kanë qenë te meshkujt dhe shumica në Londër.

Në maj, një këshilltar kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) tha se shpërthimi i lisë së majmunëve në Evropë dhe më gjerë ka të ngjarë të jetë përhapur nga seksi në dy festa të fundit në Spanjë dhe Belgjikë.

Javën e kaluar, OBSh-ja tha se 1285 raste të lisë së majmunëve ishin raportuar nga 28 vende ku kjo sëmundje nuk dihej se ishte endemike. Jashtë Afrikës nuk është raportuar asnjë vdekje. Pas Britanisë së Madhe, numri më i madh i rasteve është njoftuar në Spanjë, Gjermani dhe Kanada.

OBSh-ja tha se shumë nga të prekurit kanë "tipare jotipike" të sëmundjes që mund ta bëjnë më të vështirë për mjekët diagnostikimin. Agjencia shëndetësore e OKB-së theksoi gjithashtu se, ndërsa kontakti i ngushtë mund ta përhapë linë e majmunëve, "nuk është e qartë se çfarë roli luajnë lëngjet trupore seksuale, përfshirë spermën dhe lëngjet vaginale, në transmetim".

Ndërkohë, tetë vende afrikane kanë raportuar më shumë se 1 500 raste të dyshuara, duke përfshirë 72 vdekje.