Foto: VCG

Foto: VCG

Trafiku për në aeroportin kryesor ndërkombëtar të kryeqytetit suedez u devijua të shtunën, pasi terminali kryesor ishte i mbipopulluar me radhë masive në portat e sigurisë, shkruan “Xinhua”.

Në orët e para të mëngjesit, trafiku rrugor drejt terminalit 5 të Aeroportit Ndërkombëtar të Stokholmit “Arlanda” u devijua përkohësisht. Më vonë, u vendos që treni ekspres midis qytetit të Stokholmit dhe aeroportit mos të ndalonte në terminal, raportoi televizioni suedez “SVT”.

Sipas “Swedavia”, kompania që drejton aeroportin “Arlanda”, mbipopullimi është për shkak të një rritje të mprehtë të numrit të pasagjerëve pas pandemisë Covid-19. Gjithashtu, kompania ka pasur probleme me rekrutimin dhe trajnimin e stafit për të menaxhuar portat e sigurisë.

Situata ishte e jashtëzakonshme të shtunën dhe “Swedavia” parashikoi që bllokimi do të vazhdonte.

“Do të ketë një ngarkesë të lartë në “Arlanda” këtë verë. Nëse mund të regjistroheni në mënyrë digjitale, duhet ta bëni këtë. Përndryshe, është mirë të mbani shënim kur linja juaj ajrore hap check-in”, -deklaroi David Karlsson, i departamentit të shtypit të “Swedavia”.

“Kemi parë që njerëzit mbërrijnë në aeroport 6-8 orë përpara nisjes së fluturimit të tyre, shumë kohë përpara se të hapet check-in. Dhe kjo përkeqëson mbipopullimin”, -tha ai.