Programi Botëror i Ushqimit (WFP) paralajmëroi ditët e fundit se, për shkak të gjendjes së mungesës globale të ushqimeve, njerëzimi mund të përballet me "krizën më të madhe ushqimore pas Luftës së Dytë Botërore".

Mungesa ushqimore është shkaktuar drejtpërdrejt nga konflikti Rusi-Ukrainë dhe nga sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, që kanë sjellë mosfurnizimin e botës me ushqime nga Rusia e Ukraina, dy vendet kryesore eksportuese të ushqimeve. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres vuri në dukje në një raport se konflikti Rusi-Ukrainë ka shkaktuar një krizë ushqimore, energjetike dhe financiare globale, që parashikohet se do të prekë 1.6 miliardë veta.

Tani detyra e parë është nxitja e përfundimit sa më parë të konfliktit ruso-ukrainas, për të rivendosur funksionimin e rregullt të zinxhirit global të tregtisë ushqimore. Por sanksionet e Perëndimit e kanë përshkallëzuar konfliktin dhe e kanë përkeqësuar vazhdimisht situatën.

Sot pak vende, si ShBA-ja, kanë marrë nën kontroll sistemin e tregtisë ushqimore globale. Ndër katër gjigantë ushqimorë që kontrollojnë 80 % të kësaj tregtie, tre janë amerikane. Këto kompani manipulojnë çmimin ndërkombëtar të ushqimeve, duke ndikuar në sigurinë ushqimore të 7 miliardë banorëve të botës. (Fani/Artan)