India ka hyrë në librin e rekordeve botërore “Guinness”, për shtrimin e pjesës më të gjatë të rrugës me bitum pa ndërprerje.

Rekordi u arrit për shtrimin pa ndalesa të 75 km rrugë në Autostradën Kombëtare 53, që ndodhet në një pjesë të autostradës midis rretheve Amravati dhe Akola të Maharashtra, bën të ditur “Xinhua”.

“Jam shumë krenar që ekipi ynë ka arritur një rekord tjetër botëror. Përgëzoj veçanërisht inxhinierët dhe punëtorët tanë që u munduan ditë e natë për të bërë të mundur këtë arritje të jashtëzakonshme”, -deklaroi ministri indian i Transportit Rrugor dhe Autostradave, Nitin Gadkari.

Sipas tij, ekipi e nisi ndërtimin e rrugës më 3 qershor dhe e përfundoi shtrimin e 75 km më 7 qershor, në një kohë rekord prej 105 orësh e 33 minuta.

Në këtë projekt u përfshinë rreth 720 punëtorë. Aksi i shtruar rezulton në 37.5 km rrugë të asfaltuar me dy korsi.

Më parë, rekordin “Guinness” për shtrimin e vazhdueshëm të rrugës më të gjatë me bitum e mbante Katari për 25.275 km, më 27 shkurt 2019, të përfunduar në 10 ditë. (Irma)