Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se Kievi zyrtar po zhvillon bisedime me Kombet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë për krijimin e një korridori humanitar për eksportin e produkteve bujqësore ukrainase, bën të ditur “Xinhua”.

“Ukraina po investon të gjitha përpjekjet në zhbllokimin e porteve detare për të parandaluar një krizë globale ushqimore”, -njoftoi ministria në një deklaratë.

Sipas ministrisës, Ukraina ka nevojë për garanci efektive të sigurisë për të rivendosur lundrimin në Detin e Zi, duke përfshirë armë për të mbrojtur vijën bregdetare nga kërcënimet nga deti dhe përfshirjen e marinave të vendeve të treta për të patrulluar pjesën përkatëse të detit.

Ukraina vlerëson përpjekjet e Turqisë që synojnë zhbllokimin e porteve të Ukrainës, bëri të ditur ministria, duke shtuar se nuk është arritur ende asnjë marrëveshje midis Ukrainës, Turqisë dhe Rusisë për këtë çështje.

Ukraina ka filluar tashmë furnizimin me grurë në tregun botëror me kamionë, transport hekurudhor dhe lumor.

Furnizimi me drithë ukrainas në tregun global është ndikuar në muajt e fundit për shkak të bllokadës së porteve ukrainase nga ushtria ruse.

Në vitin 2021, Ukraina korri një prodhim rekord të grurit, bishtajoreve dhe farave vajore që arrinin në më shumë se 106 milionë tonë.