Ukraina pati një fushatë të suksesshme të mbjelljes së grurit, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga konflikti me Rusinë, sipas kryeministrit Denys Shmyhal.

Përmes një postimi në “Telegram”, ai tha se qeveria ka marrë të gjitha masat e mundshme për të realizuar me sukses fushatën më të vështirë të mbjelljes në histori, citon “Xinhua”.

Fermerët ukrainas kanë mbjellë drithë në 75 për qind të sipërfaqes së mbjellë të vitit të kaluar, tha Shmyhal, duke shtuar se qeveria u ka dhënë prodhuesve vendas të drithërave rreth 1.3 miliardë dollarë amerikanë në kredi për të kryer fushatën e mbjelljes.

Rreth 23.5 milionë tonë drithë dhe farëra vajore nga korrja e vitit të kaluar mbetën në Ukrainë për shkak të bllokadës së porteve detare, tha Shmyhal.

Kryeministri tha se qeveria ka në plan të ngrejë magazinime të lëvizshme të drithit për të rritur aftësitë e ruajtjes së grurit të vendit me 10-15 milionë tonë.

Në muajt e fundit, furnizimet e drithit ukrainas në tregun global janë prekur për shkak të bllokimit të porteve të Ukrainës nga ushtria ruse.