Sekretarja e Tregtisë e ShBA-së Gina Raimondo tha të dielën se presidenti Joe Biden i ka kërkuar ekipit të tij që të shikojë mundësinë e heqjes së disa tarifave ndaj mallrave kineze të vendosura nga ish-presidenti Donald Trump, për të luftuar inflacionin e lartë të tanishëm.

Porti i Los Angjelës në San Pedro, Kaliforni, ShBA(Foto:VCG)

Porti i Los Angjelës në San Pedro, Kaliforni, ShBA(Foto:VCG)

"Ne po e shikojmë (këtë mundësi). Në fakt, presidenti na ka kërkuar neve të ekipit të tij ta analizojmë atë. Dhe kështu jemi në procesin e bërjes së një gjëje të tillë dhe ai duhet të marrë vendimin," tha Raimondo në një intervistë për CNN-in të dielën, kur u pyet nëse administrata e Biden-it po shqyrtonte mundësinë e heqjes së tarifave ndaj Kinës për të lehtësuar inflacionin.

"Ka produkte të tjera - mallra shtëpiake, biçikleta etj. - dhe mund të jetë e arsyeshme" të shikohet mundësia e heqjes së tarifave për to, tha Raimondo, duke shtuar se administrata kishte vendosur të mbante disa nga tarifat për çelikun dhe aluminin, për të mbrojtur punëtorët amerikanë dhe industrinë e çelikut.

Biden ka thënë se po shqyrton mundësinë e heqjes së disa tarifave mbi mallrat kineze me vlerë qindra miliarda dollarë të vendosura nga paraardhësi i tij në vitet 2018 dhe 2019, në sfondin e një lufte të ashpër tregtare ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë.

Pekini i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit të heqë tarifat shtesë mbi mallrat kineze, duke thënë se kjo do të ishte "në interes të firmave dhe konsumatorëve amerikanë".

"[Nga heqja] do të përfitojnë ShBA-ja, Kina dhe mbarë bota," tha Shu Jueting, zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës, në fillim të majit, duke shtuar se ekipet tregtare nga të dyja palët po ruanin komunikimin.

Çmimet e konsumit në ShBA, të cilat pasqyrojnë se çfarë paguajnë konsumatorët për mallrat dhe shërbimet, arritën kulmin në 8.5 për qind në mars krahasuar me një vit më parë, duke shënuar normën më të shpejtë të inflacionit që nga viti 1981.

Pavarësisht se inflacioni i çmimeve të konsumit në ShBA u ngadalësua pak muajin e kaluar, inflacioni vjetor mbetet në nivelin më të lartë në 40 vjetët e fundit.(Artan)