Shkrimtarja ekuadoriane Veronica Bonilla (Foto Xinhua)

Shkrimtarja ekuadoriane Veronica Bonilla (Foto Xinhua)

Shkrimtarja ekuadoriane Veronica Bonilla ka marrë Çmimin Special të Librit për vitin 2021, njohja më e lartë nga Kina për një shkrimtar të huaj.

Në një ceremoni emocionale të mbajtur të hënën në ambasadën kineze në Ekuador, Bonilla mori një statujë të artë për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e kulturës kineze, bën të ditur “Xinhua”.

“Po shkruaj për Kinën, një vend që e dashurova kur pata mundësinë ta njihja sepse dua që fëmijët e botës ta njohin Kinën”, -tha Bonilla.

Bonilla fitoi çmimin për librin e saj të pasur me ilustrime “Platanario en China”, botuar në vitin 2019.

Libri, i bazuar në vizitën e Bonillës në Kinë në vitin 2016, ndërthur kaligrafinë, zodiakun, operën dhe aspekte të tjera të kulturës kineze, përmes udhëtimit të ndërmarrë nga Platanario, një personazh jashtëtokësor.

Çmimi Special i Librit në Kinë u jepet që nga viti 2005 përkthyesve, shkrimtarëve dhe botuesve të huaj që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës kineze në botë.

Ceremonia në Quito u ndoq nga ambasadori kinez në Ekuador, Chen Guoyou, dhe zëvendësministri i Jashtëm në detyrë i Ekuadorit, Augusto Saa, i cili tha se vepra e Bonillës është shembull i vlerës së kulturës si mjet bashkimi mes popujve.

Në urim, ambasadori kinez Chen Guoyou tha se Bonilla mori çmimin e merituar falë përkushtimit të saj afatgjatë për promovimin e kulturës kineze te fëmijët ekuadorianë.

Shkrimtarja ekuadoriane deri tani ka përkthyer në gjuhën kineze tre nga 83 librat e saj.