Marreveshja e Izraelit - Twitter ministrja

Marreveshja e Izraelit - Twitter ministrja

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nënshkruan të martën një marrëveshje të tregtisë së lirë, e para e këtij lloji midis Izraelit dhe një vendi arab. Marrëveshja tregtare, e nënshkruar nga ministrja izraelite e Ekonomisë Orna Barbivay dhe homologu i saj i Emirateve të Bashkuara Arabe Abdulla Bin Touq Al-Marri në Dubai, pritet të eliminojë tarifat për 96 për qind të produkteve, duke përfshirë ushqimin, bujqësinë, kozmetikën, pajisjet mjekësore dhe ilaçet, njoftoi Ministria izraelite e Ekonomisë në një deklaratë, citon “Xinhua”.

Marrëveshja mbulon gjithashtu rregullimin, prokurimin qeveritar, tregtinë elektronike dhe pronësinë intelektuale.

Sipas Zyrës Qendrore të Statistikave të Izraelit, tregtia midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe arriti në 1.22 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021 dhe tashmë 672 milionë dollarë në katër muajt e parë të këtij viti.

Tregtia dypalëshe përfshin kryesisht diamante dhe pajisje elektrike, elektronike, automjete, bizhuteri, minerale dhe vajra.

Marrëveshja tregtare Izrael-EBA synon të ndihmojë në rritjen e tregtisë vjetore dypalëshe në më shumë se 10 miliardë dollarë në pesë vjet, sipas ministrive izraelite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit ekonomik do të krijojë një model të ri për bashkëpunimin konstruktiv midis vendeve të rajonit”,- citohet të ketë thënë ministri i Ekonomisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdulla Bin Touq Al-Marri, në një deklaratë të publikuar nga ministria e tij.

Nga ana e saj, Barbivay tha se marrëveshja pritet të forcojë tregtinë mes dy vendeve, të heqë barrierat dhe të promovojë mundësi të reja dhe partneritete biznesi, të cilat do të formojnë një bazë solide për rrugën e përbashkët.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat nënshkruan një marrëveshje historike normalizimi në shtator 2020, nisën negociatat e tregtisë së lirë në nëntor 2021.