Foto:VCG

Foto:VCG

Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi një bisedë telefonike të enjten me ministren e sapoemëruar të Jashtme franceze Catherine Colonna, ku të dyja palët u zotuan të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të thellojnë bashkëpunimin Kinë-BE.

Wang tha se Franca, si një vend i madh që gëzon ndikim global, ka respektuar gjithmonë një politikë të jashtme të pavarur. “Përballë ndryshimeve një herë në shekull që ndodhin në botë, është e nevojshme që Kina dhe Franca të thellojnë koordinimin e tyre strategjik”, vuri në dukje Wang.

Krerët e shteteve të të dy vendeve kanë krijuar besim dhe miqësi solide të ndërsjellë dhe kanë mbajtur komunikim të ngushtë, i cili ofroi udhëzime strategjike për të dyja vendet për të trajtuar së bashku sfidat globale dhe për të injektuar stabilitet në një botë të trazuar, shtoi ai.

Duke vënë në dukje se të dy krerët e shteteve ranë dakord kohët e fundit, në bisedimet e tyre telefonike, t'i përmbahen partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Kinës dhe Francës dhe të respektojnë interesat thelbësore të njëri-tjetrit, Wang u kërkoi të dyja palëve të zbatojnë bashkërisht konsensusin e arritur nga të dy liderët dhe të bëjnë përpjekje të reja për të avancuar marrëdhëniet Kinë-Francë, thellimin e bashkëpunimit Kinë-BE dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

Duke e quajtur Kinën një partner dhe mik kyç të Francës, Colonna tha se Franca i kushton rëndësi të madhe zbatimit të konsensusit të rëndësishëm të arritur nga krerët e dy vendeve dhe një plan veprimi për marrëdhëniet dypalëshe.

“Franca është e përkushtuar për të forcuar miqësinë dypalëshe dhe është e gatshme të mbajë shkëmbime të nivelit të lartë dhe të shohë 60 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin praktik në një gamë të gjerë fushash, në mënyrë që të shtyjë partneritetin strategjik gjithëpërfshirës Francë-Kinë në një nivel të ri”, tha ajo.

Wang tha se bashkëpunimi praktik Kinë-Francë jo vetëm që ka sjellë përfitime për të dy vendet, por gjithashtu ka kontribuar në paqen dhe zhvillimin botëror, duke shtuar se Kina i jep përparësi zbatimit të planit të veprimit për marrëdhëniet Kinë-Francë dhe është e gatshme të shtojë vazhdimisht në dimensione të reja bashkëpunimin dypalësh.

Të dy palët ranë dakord gjithashtu që bashkarisht të udhëheqin momentin pozitiv për bashkëpunimin global për ndryshimet klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit, si dhe të punojnë për rezultate pozitive në pjesën e dytë të takimit të 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës së OKB-së për Diversitetin Biologjik ( COP15).

Wang tha se Kina mbështet me vendosmëri integrimin evropian dhe mbështet Francën që të luajë rolin e saj si presidencë e rradhës e Këshillit të Bashkimit Evropian, për të rritur autonominë strategjike të Evropës.

Duke theksuar se miqësia është tipari përcaktues i marrëdhënieve Kinë-BE dhe bashkëpunimi është rrjedha kryesore, Wang tha se Kina dhe BE janë partnerë, por jo rivalë.

Kina dhe BE-ja duhet të shmangin diplomacinë megafonike dhe të kenë një komunikim të sinqertë dhe të thellë mbi bazën e respektit të ndërsjellë, me qëllim rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë, tha ai.

Colonna tha se Franca ushqen traditën e saj të diplomacisë së pavarur dhe është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit BE-Kinë dhe trajtimin e përbashkët të sfidave globale.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështjen e Ukrainës dhe situatën në Gadishullin Korean.

Situata ruso-ukrainase, tha Wang, ka arritur në një udhëkryq të ri. Nga njëra anë, konflikti tenton të jetë i zgjatur dhe i ndërlikuar dhe nga ana tjetër ka thirrje në rritje për paqe dhe përpjekje për të nxitur bisedimet e paqes. Prioriteti i menjëhershëm është që të gjitha palët të punojnë së bashku për të lehtësuar dialogun për paqe, në vend që të ndezin flakët e konfliktit, tha Wang.

Ata ranë dakord se të dyja palët duhet të luajnë një rol konstruktiv për të lehtësuar dialogun për paqen në Ukrainë.