Foto: VCG

Foto: VCG

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për partneritetin e klimës dhe energjisë, njofton “Xinhua”.

“Partneriteti synon intensifikimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e veprimit klimaterik, zhvillimin e teknologjive për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë dhe promovimin e sigurisë energjetike”, -thuhet në një deklaratë të Ministrisë gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimaterik.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-së për klimën, John Kerry, i cili ishte në Berlin për një takim të ministrave të Energjisë dhe Mjedisit të G7-s, dhe ministri gjerman për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimaterik, Robert Habeck.

Gjermania synon të arrijë neutralitetin klimaterik deri në vitin 2045, pesë vjet përpara objektivit të qeverisë së mëparshme. Si Gjermania ashtu edhe Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë zero neto emetimet e gazeve serrë brenda ose përpara vitit 2050.