Me shtimin e rasteve të lisë së majmunëve në Evropë, autoritetet shëndetësore evropiane po u bëjnë thirrje vendeve të ndërmarrin masa shtesë për të vënë nën kontroll përhapjen e virusit.

Në Evropë, Britania ka numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara, mbi 71. Ndërkohë, pjesa më e madhe e rasteve të konfirmuara brenda Bashkimit Evropian janë në Spanjë dhe Portugali, ndjekur nga Italia. Ishujt Kanarie konfirmuan rastin e parë këtë javë dhe zyrtarët shëndetësorë atje kanë filluar testimin e individëve në rrezik.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi se shpërthimi rrezikon të bëhet i vështirë për t'u çrrënjosur nëse transmetimi nga personi në person vazhdon dhe nëse sëmundja infekton popullsinë e kafshëve të Evropës. Megjithatë, rreziku që kjo e fundit të ndodhë besohet të jetë shumë i ulët, citon “Xinhua”.

Zyrtarët evropianë të shëndetësisë u kanë kërkuar vendeve anëtare të përgatiten për të kryer gjurmimin e kontakteve dhe për të rritur furnizimet me vaksina, terapi dhe diagnostikim.

Autoriteti Evropian i Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Emergjencave Shëndetësore ka filluar bashkëpunimin me Agjencinë Evropiane të Barnave dhe zyrtarët shëndetësorë në shtetet individuale të BE-së për të frenuar numrin në rritje të rasteve.

Sëmundja, e cila nuk është e re, zakonisht nuk është vdekjeprurëse dhe ekspertët mjekësorë kanë thënë se vaksinat ekzistuese janë efektive kundër saj.

Lija e majmunëve është relativisht e zakonshme në disa pjesë të Afrikës, ku në të kaluarën është përhapur nga disa lloje primatësh dhe brejtësish te popullata njerëzore, dhe ndonjëherë nga njeriu te njeriu. Megjithatë, deri vonë, rastet në pjesë të tjera të botës kanë qenë të rralla.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur këtë javë se që nga raportimi i rastit të parë më 7 maj ka pasur të paktën 131 raste të konfirmuara të lisë së majmunëve dhe 106 raste të dyshuara të sëmundjes në 19 vende jashtë Afrikës. (Irma)