Turqia ka vendosur kushte që delegacionet suedeze dhe finlandeze të fitojnë mbështetjen e saj mbi ofertat e tyre për t'u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, tha se procedura e Suedisë dhe Finlandës për t'u bashkuar me aleancën ushtarake nuk do të ecë përpara nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për të adresuar shqetësimet e Turqisë, citon “Xinhua”.

Zyrtarët nga Suedia dhe Finlanda u takuan me homologët turq në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Turqinë, e cila kundërshton ofertat e tyre për anëtarësim në NATO.

“Pritjet tona kishin të bënin me marrjen e hapave konkretë për të adresuar praninë e organizatave terroriste. Ne kemi përcjellë informacionin dhe dokumentet mbi këtë çështje”, -tha Kalin në një konferencë shtypi pas takimeve.

“Ne deklaruam se kjo procedurë nuk do të ishte e mundur derisa të trajtoheshin shqetësimet e sigurisë së Turqisë”, -tha ai, duke shtuar se zyrtarët finlandezë dhe suedezë kishin bërë shënime dhe do t'ia paraqesin ato qeverive të tyre.

Sipas Kalin, konsultimet me Finlandën dhe Suedinë do të vazhdojnë, derisa të dy vendet t'i përgjigjen shqetësimeve të Turqisë. (Irma)