Një formë tjetër e nënvariantit Omikron është bërë lloji dominues në mesin e rasteve të reja të Covid-19 në SHBA, sipas vlerësimeve të fundit të publikuara nga Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), citon “Xinhua”.

Sipas CDC, nënvarianti i ri, i njohur si BA.2.12.1, përbënte rreth 58 për qind të të gjitha rasteve të reja në SHBA deri më 21 maj. Të dhënat u rritën nga 49.4 për qind një javë më parë dhe 39.2 për qind dy javë më parë.

BA.2.12.1 përhapet më shpejt se versionet e mëparshme të Omikron. Versioni i ri evoluoi nga BA.2, i cili ishte më ngjitës se çdo variant i mëparshëm i koronavirusit.

Megjithatë, nuk kishte asnjë të dhënë që nënvarianti i ri shkakton sëmundje më të rënda sesa format e mëparshme, thanë ekspertët e shëndetësisë.

Shba mesatarisht po numëron më shumë se 100,000 raste të reja të konfirmuara në ditë për herë të parë që nga shkurti, sipas të dhënave të CDC-së. (Irma)