Parlamenti rus miratoi një projektligj për të hequr kufirin e sipërm të moshës për ata që duan të shërbejnë në ushtri me kontratë. Më parë, shtetasit rusë të moshës 18-40 vjeç dhe të huajt e moshës 18-30 vjeç kishin të drejtë të lidhnin kontratën e parë për shërbimin ushtarak. Tani ata që janë më të vjetër do të mund të shërbejnë me kontratë deri në fund të moshës së punës, njoftoi Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, citon “Xinhua”.

Miratimi i këtij projektligji do të bëjë të mundur tërheqjen e më shumë specialistëve në shërbimin ushtarak, tha Andrei Kartapolov, bashkautor i nismës dhe kryetar i Komitetit të Mbrojtjes së Dumës.

Një shënim shpjegues në draft thotë se nevojiten specialistë shumë profesionistë për përdorimin e armëve me precizion të lartë dhe funksionimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, ndërsa përvoja tregon se profesionistët në atë fushë janë zakonisht në grupmoshën 40-45 vjeç. (Irma)