Presidenti amerikan Joe Biden po vazhdon turneun e tij në Korenë e Jugut dhe Japoni. Kjo është vizita e parë e kreut të Shtëpisë së Bardhë në Azi, por edhe një veprimtari diplomatike me ngjyrime të Luftës së Ftohtë dhe që synon kundërvënien në bllok.

Në Tokio, Biden-i mori pjesë në samitin katërpalësh të “Quad”-it me liderët e Japonisë, Australisë dhe Indisë, ku deklaroi nisjen e funksionimit të së ashtuquajturës “Kornizë Ekonomike e Indo-Paqësorit”. Analistët janë të mendimit se kjo pasqyron formimin fillestar të “Strategjisë së Indo-Paqësorit” të ShBA-së për të frenuar përtëritjen e Kinës.

Në fakt, si në rigjallërimin e Luftës së Ftohtë të re, ashtu edhe në kundërvënien në grup, administrata e Joe Biden-it synon vetëm mbrojtjen e pozicionit hegjemonist të ShBA-së. Për shkak të “nxitjes” së ShBA-së dhe aleatëve të saj, Europa ndodhet në krizën e sjellë nga shpërthimi i konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Tani telashet e kundërvënies në grup po i drejtohen Azi-Paqësorit.

Por prirja e kohës aty është integrimi rajonal dhe ndërtimi i bashkësisë me fate të përbashkëta të Azi-Paqësorit. Kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong u shpreh në një intervistë se, me shtimin e përpjesëtimit të ekonomisë kineze në ekonominë globale, është normale të ketë më shumë shkëmbime tregtare me Kinën, sepse mundësitë dhe tregu janë në Kinë dhe vendet e ndryshme duhet të bëjnë biznes me të.

Kryediplomati kinez Wang Yi vuri në dukje ditët e fundit se e ashtuquajtura “Strategji e Indo-Paqësorit” e ShBA-së, nën pretekstin e “hapjes dhe lirisë”, është e përkushtuar ndaj formimit të “qarqeve të vogla”. Sipas tij, vendet e Azi-Paqësorit nuk duan të mbajnë anë, por dëshira kryesore e tyre është bashkëjetesa harmonike dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë. Wang theksoi se në thelb kjo strategji synon krijimin e përçarjeve e të kundërvënies dhe do të shkaktojë vetëm prishjen e paqes.