Foto: VCG

Foto: VCG

Australia regjistroi rastin e dytë të lisë së majmunëve. Autoritetet lokale dhe ekspertët po përgatiten për atë që është një shpërthim shumë i pazakontë i sëmundjes, i cili javët e fundit është përhapur në të gjithë globin, njofton “Xinhua”.

Në fund të javës së kaluar, shteti australian i Uellsit të Ri Jugor (NSW) regjistroi rastin e parë të virusit në vend, dhe një rast i dytë u konfirmua më vonë në Melburn.

Shefja e Programit të Biosigurisë në Institutin “Kirby” të Universitetit të Uellsit të Ri Jugor (UNSW), Raina MacIntyre, e cila ka luajtur një rol të madh në luftën e vendit kundër Covid-19, bëri thirrje që qeveria të përgatitet për një shpërthim të mundshëm. Sipas saj, ndërsa varianti i lisë së majmunit duket se ka një shkallë të ngjashme vdekshmërie me Covid-19 prej rreth 1 për qind, ai nuk duket të jetë aq ngjitës.

Ekspertët thonë se disa javë pasi janë infektuar, individët mund të përjetojnë simptoma si ethe, dhimbje koke, ënjtje të nyjeve limfatike, dhimbje muskulore, të cilat pasohen disa ditë më vonë nga skuqja e pustulave shumë të dallueshme.