Ukraina nuk mbështet asnjë formulë kompromisi për t'i dhënë vendit statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, citon “Xinhua”.

Përmes një postimi në “Twitter”, Kuleba tha se Ukraina nuk ka nevojë për manovra kompromisi që tregojnë trajtim të dorës së dytë dhe lëndojnë ndjenjat e ukrainasve.

Ai u kërkoi disa vendeve të BE-së që t'i japin fund politikës së tyre të "paqartësisë strategjike" mbi perspektivën evropiane të Ukrainës dhe të mbështesin dhënien e statusit të kandidatit të plotë.

Në fillim të këtij muaji, presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të duheshin dekada që Ukraina të pranohej në BE, duke sugjeruar se vendi i Evropës Lindore mund t'i bashkohet një "komuniteti paralel evropian" ndërsa pret vendimin e anëtarësimit në BE.

Më 28 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një apel zyrtar drejtuar BE-së duke kërkuar pranimin e Ukrainës përmes një procedure të re speciale.

BE do të marrë në konsideratë statusin e kandidatit të Ukrainës muajin e ardhshëm, sipas raporteve të ndryshme të mediave. (Irma)