Kryeministri Nicolae Ciuca deklaroi se Rumania mund të arrijë pavarësinë energjetike në 5 vjet.

“Janë ndërmarrë veprime konkrete dhe ne kemi besim se brenda 5 vjetësh do të jemi në gjendje të bëhemi vërtet të pavarur në aspektin e energjisë”, -deklaroi kryeministri rumun në Samitin e Liderëve të Biznesit, citon “Xinhua”.

Sipas tij, të gjitha projektet e ndërlidhura duhet të adresojnë dy çështje shumë të rëndësishme: zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike dhe përmirësimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike.

Duke iu referuar burimeve të gazit, Ciuca theksoi rëndësinë e ligjit të miratuar së fundi nga Parlamenti, i cili synon që të nxisë investimet e gazit natyror në Detin e Zi. Ai tha se do të krijohet mundësia për të vazhduar me investimet në shfrytëzimin e burimeve në det dhe në tokë.

Projekti i Zhvillimit të Gazit Midia është planifikuar të jetë operacional muajin e ardhshëm me një kapacitet vjetor shpërndarjeje prej një miliard metra kub. Ciuca tha se kompania e integruar rumune e naftës “OMV Petrom” dhe prodhuesi i gazit natyror “Romgaz” janë planifikuar të përfundojnë projektet e tyre të kërkimit dhe prodhimit të gazit natyror në Detin e Zi deri në fillim të vitit 2027, gjë që do t'i mundësonte vendit të furnizojë me gaz ekonominë kombëtare dhe madje edhe të eksportojë.

Me një pjesë të importeve nga Rusia në 15.5 për qind për gazin natyror, Rumania është ndër të paktat shtete evropiane që mund ta menaxhojë sasinë e gazit që kanë për të mbuluar konsumin kombëtar. (Irma)