Deputetët në Parlamentin Evropian dhanë dritën e parë jeshile për të ndaluar shitjen e makinave dhe furgonëve me motorë me lëndë djegëse fosile (benzinë, naftë dhe gaz) që nga viti 2035, bën të ditur “Ansa”.

Komiteti i Mjedisit i Parlamentit Evropian miratoi me një shumicë të ngushtë (46 vota pro, 40 kundër dhe dy abstenime), qëndrimin e tij mbi rregullat e paraqitura nga Komisioni i BE-së për rishikimin e standardeve të emetimeve të dyoksidit të karbonit për automjetet e reja.

Votimi konfirmon propozimin e Brukselit që parashikon shitjen e makinave dhe furgonëve me emetim zero nga viti 2035. Drafti tani do të kalojë në seancën plenare të Parlamentit Evropian në qershor.

Ky është votimi i parë i Parlamentit Evropian për një rregullore të paketës 'Fit for 55', e cila përafron tekste të ndryshme legjislative me objektivin e ri klimaterik të BE-së, i cili parashikon një ulje prej 55% të emetimeve të CO2 deri në vitin 2030. (Irma)