Kremlini bëri të ditur se lëvizja e Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n ishte padyshim një kërcënim për Rusinë dhe se zgjerimi i bllokut ushtarak nuk do ta bënte Evropën apo botën më të qëndrueshme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi për mediet, se hapat e ndërmarra nga Finlanda për t'u bashkuar me NATO-n ishin një shkak për keqardhje dhe një arsye për të imponuar një përgjigje simetrike, shkruan “Reuters”. Reagimi erdhi pas njoftimit nga liderët e Finlandës se vendi duhet të aplikojë pa vonesa për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

I pyetur nëse kjo paraqet një kërcënim për Rusinë, Peskov tha: “Patjetër. Zgjerimi i NATO-s nuk e bën kontinentin tonë më të qëndrueshëm dhe të sigurt. Finlanda është bashkuar me “hapat jomiqësorë” kundër Rusisë”.

I pyetur se çfarë forme do të kishte përgjigjja e Rusisë, ai u përgjigj: "Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet ky proces i zgjerimit të NATO-s, shkalla në të cilën infrastruktura ushtarake lëviz më pranë kufijve tanë".

Përpara konfliktit Rusi-Ukrainë më 24 shkurt, Finlanda që nga Lufta e Dytë Botërore kishte mbajtur një politikë neutraliteti në lidhje me Rusinë, me të cilën ndan një kufi prej 1340 km. Vendi ka gjasa të bashkohet me NATO-n këtë vit, së bashku me fqinjin e tij Suedinë, një tjetër fuqi tradicionalisht neutrale që ishte përmbajtur nga bashkimi me aleancën e udhëhequr nga SHBA-ja. (Irma)